Lumi: Kritika teatrore, vetëm sipërfaqësisht

Regjisori i teatrit, Bekim Lumi, na përshkroi kësisoj gjendjen e sotme në kritikën teatrore: “kritika teatrore te ne ekziston vetëm sipërfaqësisht.

Dy apo tre emra janë krejtësisht, të cilët edhe ashtu, më shumë se vazhdimisht, shkruajnë për shfaqje të veçanta vetëm herë pas here. Edhe aq sa shkruhet, për nivelin e këtyre shkrimeve mund të diskutohet. Të rralla janë rastet kur ato janë thellësisht profesionale dhe kur, me formën, përmbajtjen dhe nivelin e tyre, i përfillin kriteret dhe standardet e kritikës së mirëfilltë teatrore”. Sipas regjisorit Lumi, në të shumtën e herëve, ato, më tepër se shkrime kritike, janë kryesisht shkrime me karakter informativ apo përshkrues, ndërkohë që vlerësimet brenda tyre për aspekte të ndryshme të natyrës artistike janë shumë të përgjithshme dhe pa qasje analitike.

“Shpesh këto shkrime të ashtuquajtura kritike janë subjektive dhe, si të tilla, më shumë se me intonim kritik, janë të mbushura me vlerësime përlëvduese, klishetike dhe përgjithësuese. Janë të shpeshta, bie fjala, formulimet si: “Loja e aktorëve në përgjithësi ishte e mirë”, “Regjia e shfaqjes ishte një risi kreative”, apo “Kostumet dhe skenografia e plotësonin njëra-tjetrën”, ndërkohë që nuk jepet qoftë edhe një argument i vetëm për vlerësimet e këtilla përgjithësuese dhe pa asnjë analizë profesionale”, thotë Lumi, duke shtuar se e keqja më e madhe në krejt këtë histori të përçudshme është se, me gjendjen sporadike të shkrimeve kritike mbi teatrin dhe shumë më tepër me nivelin e saj të ulët dhe joprofesional, ne, në vitet e pasluftës e këndej, nuk e kemi ende, qoftë edhe në formën e një kronike të përmbledhur, amplitudën e zhvillimeve teatrore në Kosovë.

“Kjo gjendje e mjerë e shtron si të domosdoshme përcaktimin dhe kualifikimin profesional të njerëzve të rinj, të cilët, përmes shkollimit jashtë vendit apo përmes punëtorive të ndryshme, do të mund të profilizoheshin dhe të formësoheshin intelektualisht, artistikisht dhe profesionalisht për fushën e kritikës teatrore. Pa një kritikë të mirëfilltë teatrore nuk mund të ketë as krijim, as nivel, as qasje e as standardizim të kreacioneve tona teatrore. Në të vërtetë, mungesa e mendimit të mirëfilltë kritik tashmë e ka rrënuar pothuaj krejtësisht teatrin në Kosovë”, tha për fund Lumi, duke e përmbyllur me konstatimin se jorastësisht, para krijuesve dhe artistëve të mëdhenj, origjinalë e karizmatikë, në skenën tonë teatrore janë ambientuar dhe vegjetojnë diletantët, kopjuesit, shkëmbyesit, hileqarët, mercenarët, honorarxhinjtë dhe përfituesit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s