Regjisori i njohur, Isa Qosja, tha: “Unë i kam lexuar vlerësimet e dy autorëve: Ballsor Hoxha dhe Ben Apolloni.
Që të dy më kanë bindur se i kanë lexuar mirë filmat për të cilët kanë shkruar. Ballsori e ka një shkrim goxha të fuqishëm për filmin fitues të Oskarit ‘Birdman’”, të cilin Qosja e quajti një shkrim mjaft kompetitiv në nivel të shpalosjes artistike, ku simbolet e lexuara mirë, dimensioni estetik i vlerësuar, aktrimi, drama dhe të gjitha elementet domethënëse të këtij filmi janë të matura me prirje shumë kreative. “Ben Apolloni, po ashtu, tregohet si njohës i shkëlqyeshëm ideo-estetik i veprës kinematografike. Do të doja që këta dy autorë të mbeten në këtë rrafsh, sepse do të na tregojnë shpesh për vlerat reale të veprave kinematografike”, tha ndër të tjera profesor Qosja.